Që nga ri-themelimi, SHRAK-u është duke u zhvilluar me hapa të sigurt dhe të suksesshëm, posaçërisht në ngritjen dhe edukimin e gjeneratave të reja. Shoqata e Radioamatorëve të Kosovës ka përpiluar kurikulat e kurseve të trajnimit për radioamatorë të Nivelit Bazë, bazuar në standardet ndërkombëtarë të pranuara nga Shoqata e Radioamatorëve Ndërkombëtarë – IARU – dhe Shoqata e Radioamatorëve në Amerikë – ARRL.
Si rrjedhim, gjatë muajve tetor-dhjetor të vitit 2013, ajo ka trajnuar mbi 52 radioamatorë të rinj, kryesisht studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Trajnuesit vendorë ishin Vjollca Belegu-Caka (Z61VB), Fehmi Bojniku (Z62FB), Feti Fazliu (Z61FF) dhe Driton Sadiku (Z61DX), ndërsa trajnues vizitor ndërkombëtar ishte Martti Laine (OH2BH), i cili prezantoi materialin e siguruar nga Shoqata e Radioamatorëve në Kroaci – HRS dhe Shoqata e Radioamatorëve në Britani – RSGB, nën mbikëqyrjen e kryetarit të Regjionit 1 të IARU-së Hans Blondeel Timmerman (PB2T) dhe përfaqësuesit Nicola Perčin (9A5W). Me përfundimin e suksesshëm të provimit të organizuar nga ARKEP-i dhe SHRAK-u, nën mbikëqyrjen dhe asistimin IARU-së, janë licencuar 50 radioamatorë të rinj me Nivelin Bazë.
Në përputhje me rregulloren për shërbime radioamatore të ARKEP-it, deri në muajin prill të vitit 2014, gjithsej janë licencuar 85 radioamatorë, prej të cilëve 65 në Kosovë dhe 20 ndërkombëtarë:
- 9 operatorë të Nivelit HAREC,
- 6 radioamatorë të Nivelit CEPT Novice,
- 50 radioamatorë të Nivelit Bazë,
- 20 licenca për radioamatorë Ndërkombëtarë.