Shoqata e Radioamatorëve të Kosovës – SHRAK – është organizatë jofitimprurëse e të gjitha nacionaliteteve, për shërbime radioamatore në tërë hapësirën gjeografike të Republikës së Kosovës. SHRAK-u zhvillon aktivitetet e saj në përputhje me statutin e saj, në koordinim me vendimet e kryesisë së saj, si dhe respekton e ushtron veprimtarinë e saj në nivel institucional në përputhje me legjislacionet në fuqi në Republikën e Kosovës dhe rregullat e standardet Evropiane për shërbimin radioamator. Si e vetmja shoqatë e këtij lloji në Kosovë, SHRAK-u është shtylla dhe promotori kryesor i zhvillimit të shërbimeve radioamatore në vend.

Fillimisht SHRAK-u është themeluar në vitin 2000, megjithatë në pamundësi të ndarjes së shenjës thirrëse nuk ka mundur të jetë aktive. Më 29 Gusht 2008, Qeveria e Republikës së Kosovës mori Vendimin Nr. 01/89 për shfrytëzimin e shenjës thirrëse Z6 për tërë hapësirën gjeografike të saj. Si rrjedhim, në shtator të vitit 2012 SHRAK-u u ri-themelua si një organizatë jofitimprurëse në bazë të rregullores nr. 16 për Shërbimet e Radioamatorëve të Kosovës, të miratuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës – ARKEP.